Tuesday, 28.02.2017 - Tiranë

EU Policy Hub monitoron ‘integrimin’ në shtypin shqiptar”

Forumi i Politikave të Integrimit ‘EU Policy Hub’ (EUPH) se bashku me Fondacionin Friedrich Ebert dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë organizuan, ditën e martë, 28 shkurt 2017, në ambjentet e Librarisë “Tirana Times”, prezantimin e studimit më të fundit: “Diskursi i Integrimit Evropian në Shtypin e Shkruar Shqiptar”, realizuar nga një grup kërkuesish të Forumit.

Foto: FES Tirana

Foto: FES Tirana

Foto: FES Tirana

Foto: FES Tirana

Studimi bën një monitorim dhe analizim të përmbatjes së katër gazetave kryesore në vend, mbi trajtimin cilësor dhe sasior të artikujve që lidhen me integrimin evropian përgjatë periudhës Janar–Qershor 2016.

Aktiviteti u hap me fjalimin përshëndetës të Drejtorit të Fondacionit për Shoqëri të Hapur Andi Dobrushi, i cili në kontekstin e integrimit europian, u ndal tek fenomeni i fabrikimit të ‘fake news’ nga media specifike jo për të informuar e qartësuar qytetarin, por si instrument në duart e individeve me pushtet.

Ai nënvizoi se qasja e Fondacionit për Shoqëri të Hapur nëpërmjet programeve të saj, synon të krijojë pikërisht një ekuilibër të shëndetshëm, ndërmjet lirisë së Medias dhe përgjegjësive që vijnë bashkë me të: profesionalizëm, objektivitetin, shërbimin me interes publik dhe transparencën.

Edhe për drejtorin e Fondacionit Friedrich Herbert, Frank Hantke, i ftuar në këtë diskutim, roli i medias është kyç në rrugën e integrimit europian, për informimin e duhur të qytetarëve rreth këtij procesi. “Ndaj nevojitet një marrëdhënie positive dhe e besueshme mes qytetarëve dhe shtetit. Në këtë kontekst, media është pikërisht ‘ura’ lidhëse për politikanët dhe qytetarët”, u shpreh Hantke.

Edhe Kryetari i Grupit për Seksionin Politik, Ekonomik dhe Informacionin, pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Dr. Sylvain Gambert, gjatë fjalës të tij, veçoi rolin që media ka, në veçanti tani, përsa i përket reformës në drejtësi. Sipas tij është detyra e medias që mos ta pengojë e as deligjitimojë këtë reformë, por të raportojë dhe të mundësojë informacion të paanshëm.

Prezantimi i metodologjisë dhe gjetjeve të studimit nga bashkëautori, Besnik Baka u fokusua tek numri i lartë i artikujve të identifikuar mbi integrimin, por në anën tjetër, tek niveli i tyre i ulët i raportimit (relevanca), ku pjesa më e madhe e artikujve rezultojnë të shkurtër, pa autor, me fotografi të vogël, në faqet e brendshme. Ndërkohë në shumicën e raportimeve vërehet mungesa e shkrimeve analitike apo dhe argumentative nga vetë redaksia e gazetave. Kjo pasqyrohet edhe në hapësirën që i është kushtuar lajmeve mbi integrimin në faqen e parë, ku vetëm 6% e tyre ja kanë dalë të jenë në faqen e parë.

Pas prezantimit të gjetjeve, nën moderimin e Eni Vasilit, u hap një diskutim i lirë me të pranishmit nga organizatat e shoqërisë civile, media, universitetet, për të folur rreth gjetjeve por edhe komentuar rreth sfidave të medias në Shqipëri, përsa i përket fushës së integrimit.

Për Xhovani Shytin nga Unioni i gazetarëve janë dy arsye kryesore që sjellin këtë situatë: (1) mungesa e gazetareve dhe reportereve, të cilët të ndjekin specifikisht lajmet mbi integrimin, si edhe ajo e analistëve, opinionistëve e komentatorëve specifik për trajtimin e një teme të tillë, dhe (2) mungesa e artikujve, shkrimeve e lajmeve me relevancë dhe cilësi të lartë publikimi në faqet e para si rrjedhojë e botuesve dhe edituesve, të cilëve me të drejtë u digjet xhepi nga mosshitja e gazetave.

Lutfi Dervishi, me një eksperiencë të gjatë në fushën e medias, komentoi studimin, ku më shqetësuese është mungesa e artikujve të denjë për integrimin në shtypin shqiptar, dhe fakti se vetëm pak gazetarë janë të specializuar në mbulimin e çështjeve të integrimit. “Ndodh shpesh se si nje status ne facebook, bëhet kryeartikull e riprodhohet masivisht nga mediat e tjera…”, u shpreh Dervishi.

Benet Koleka, nga Agjencia ‘Reuters’, në komentin e tij u ndal tek fakti se nuk duhet të shikohet barra vetëm tek gazetat e gazetarët. Është edhe detyra e institucioneve përkatëse, që të mundësojnë informacion të hapur e cilësor, duke marrë parasysh edhe problemet që media ka në Shqipëri.

Ndërkohë të ftuar të tjerë u ndalën në rëndësinë që ka jo vetëm informimi, por edhe edukimi mbi integrimin në shkolla, madje jo vetëm në Universitet por edhe nëpër gjimnaze. 

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tirana

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986


info.tirana(at)fes.de