Të rinjtë e Kurbinit dhe Patosit pjesë e “Lojës simuluese mbi Politikën vendore”

FES Tirana vijon të zbatojë projektin “Loja simuluese mbi Politikën vendore: Pa rini nuk ka shtet” që synon të nxisë e të motivojë agazhimin e të rinjve shqiptarë në vendimarrjen lokale përmes urave të bashkëpunimit me aktorët vendorë.

Gjatë muajit shkurt të vitit 2022, skuadra e trajnerëve të Lojës Simuluese u ndal në dy bashki të vendit, Bashkinë Kurbin dhe Bashkinë Patos, ku nxënës të shkollave të mesme morën njohuritë bazë mbi sistemin politik në Shqipëri dhe mbi politikën vendore.
Nxënësit zhvilluan gjithashtu mbledhje të simulara të këshillit bashkiak ku artikuluan para zyrtarëve lokalë, ide, argumente, nisma dhe propozime mbi nevoja të komunitetit.

Kështu, në datat 24 dhe 25 Shkurt 2022, në Bashkinë Patos, pjesë e Lojës Simuluese u bënë nxënës të Njësive Administrative Patos, Zharrëz dhe Ruzhdie të cilët studiojnë pranë 3 shkollave të mesme të “Zhani Ciko”, “Mustafa Matohiti” dhe “Sotir Çapo”. Gjatë mbledhjes së simuluar të rinjtë parashtruan për funksionarët vendorë propozime që lidheshin me rikonstruksion shkollash apo të kinemasë, me ndriçimin e rrugëve apo furnizimin me energji elektrike.

Po në të njejtën datë, një tjetër skuadër e trajnerëve të lojës simuluese trajnoi nxënësit e disa gjimnazeve të Bashkisë Kurbin si  “Gjimnazi Laç”, “Gjimnazi Fushëkuqe”, “Gjimnazi Milot”, “Gjimnazi Mamurras”. Ata parashtruan para të zgjedhurve të Bashkisë Kurbin propozime mbi nevoja si ndërtimi i një kinemaje, ngritja e Këshillit Rinor, furnizimi me ujë të pijshëm, apo rehabilitimi i rrugëve në njësi administrative.

Fondacioni Friedrich Ebert beson se zhvillimi demokratik është i lidhur ngushtë me angazhimin e të rinjve në vendimarrjen lokale. Për këtë arsye do të vijojë rrugëtimin e tij në të tjera bashki të vendit për të edukuar dhe motivuar të rinjtë mbi rëndësinë e angazhimit të tyre në politikën vendore.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tirana

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986


info.tirana(at)fes.de