Akademia e Konsumatorit III - Angazhimi i të rinjve në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit

Akademia e Konsumatorit u realizua për të tretin vit nga Qendra “Konsumatori Shqiptar” me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung, Tirana, në periudhën Shkurt – Qershor 2021.

Mbrojtja e konsumatorit, nëpërmjet: vendosjes në treg të produkteve të sigurta, mbrojtjes së shëndetit dhe jetës, mbrojtjes së interesave ekonomikë, institucioneve kompetente ligjzbatuese dhe mbikqyrëse, realizimit  të inspektimeve periodike etj. është një nga sfidat që ka ndërmarrë Shteti Shqiptar në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, por dhe detyrimeve që i burojnë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

Qëllimi i Akademisë së Konsumatorit është ndërgjegjësimi, informimi dhe rritja e kapaciteteve të të rinjve, si një mjet për garantimin e mbrojtjes së konsumatorit, nëpërmjet denoncimit, ankimit dhe realizimit të fushatave ndërgjegjësuese.

Kjo Akademi është projektuar si një platformë me 20 leksione, të realizuar nga lektorët më të mirë të fushës, në tema që përfshijnë mbrojtjen e konsumatorit në lidhje me produktet ushqimore dhe joushqimore, kontratat konsumatore, edukimi financiar, kontrata e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, konkurenca dhe roli i saj në mbrojtjen e interesave ekonomikë të konsumatorëve, mbrojtja e mjedisit, konsumatori në rolin e tij si udhëtar/ pasagjer, konsumatori në rolin e  tij pacient, mosdiskriminimi në marrjen e shërbimeve, roli i medias dhe shoqërisë civile, në kuadër të qeverisjes qendrore dhe vendore.

Në këtë Akademi morën pjesë 28 të rinj, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si: Shkodra, Kukësi, Durrësi, Peshkopia, Tirana, Peqin, Berat, Elbasan, Patos, Korçë etj. Pjesëmarrësit ishin nënpunës të administratës publike qendrore dhe vendore, pjesë e shoqërisë civile si dhe studentë. Për shkak të situatës së shkaktuar nga Covid-19, leksionet u zhvilluan online.

Pas përfundimit me sukses, pjesëmarrësit realizuan nga një fushatë ndërgjegjësimi përktaësisht në qytetet e tyre, në vendet e tyre të punës, si dhe pranë komunitetit të tyre.

Me datë 5 Tetor 2021, në ambjentet e Hotel Rogner, Tiranë u realizua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, me praninë e Znj. Stine Kappler, Drejtore, FES-Tirana.

Për më shumë në lidhje me mendimet e pjesëmarrësve dhe lektorëve të Akademisë së Konsumatorit i gjeni në:

https://www.facebook.com/895987337113026/videos/680767886214237

https://www.facebook.com/Qendra-Konsumatori-Shqiptar-Albanian-Consumer-Center-895987337113026/videos/204075998289476

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986


info.tirana(at)fes.de