Thirrje për Aplikim në Shkollën e Integrimit Europian (edicioni i 6-të)

Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Europian, Fondacionin Friedrich Ebert , dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) do të organizojë on line, në datat 1-15 Nëntor 2021, edicionin e gjashtë të Shkollës së Integrimit Europian.

Shkolla e Integrimit Europian është tashmë një traditë e konsoliduar në mbështetje të identifikimit dhe përfshirjes së aktorëve të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit,  të cilët mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

Shkolla e Integrimit Europian (on line) do të ofrojë përgjatë dy javëve, një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet dhe sfidat më të fundit në Bashkimin Europian, bashkëpunimin rajonal dhe zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit si dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes në suksesin e procesit të anëtarësimit në BE.

Gjatë Shkollës së Integrimit Europian do të përdoret një shumëllojshmëri e metodave të mësimdhënies dhe të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, dhe diskutime ndërvepruese me profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin europian dhe Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, Shkolla e Integrimit Europian do të përfshijë seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, institucionet e Bashkimit Europian dhe institucionet rajonale, të cilët do të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi të ardhmen e Bashkimit Europian si dhe sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. 

Kush mund të aplikojë?

  • Nëpunës të administratës publike shqiptare (duke përfshirë edhe ata nga vetëqeverisja vendore dhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e integrimit europian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave;
  • Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse;
  • Gazetarë dhe përfaqësues të medias;
  • Përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi.

 

Aplikantët duhet të kenë nivel të mirë të gjuhës angleze. Shumica e seancave do të zhvillohet vetëm në anglisht.

Regjistrimi:

Pjesëmarrësit e interesuar janë të lutur të dërgojnë brenda datës 15.10.2021, një CV dhe një letër motivimi ku të shprehin vizionin mbi angazhimin dhe kontributin potencial të tyre në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dhe miratimin e eprorit për pjesëmarrjen në Shkollën të Integrimit Europian.

Aplikimi duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën e mëposhtme:

Info.Kkie(at)parlament.al

Ka vetëm 35 vende në dispozicion! Të gjithë pjesëmarrësit do të marrin një çertifikatë pjesëmarrjeje pas përfundimit të suksesshëm të kursit dy – javor (on line).

Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen brenda datës 25 Tetor 2021 dhe pjesëmarrja në këtë shkollë është PA pagesë.

Pjesëmarrësit do të pajisen me çertifikatë vetëm në qoftë se do të marrin pjesë në të gjitha ditët dhe sesionet e shkollës.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986


info.tirana(at)fes.de