Transformimi Social-Ekologjik në qarkun Berat

Gjatë muajve Prill - Qershor 2022, Fondacioni "Friedrich Ebert" në bashkëpunim me organizatën "New Bridges", zbatuan projektin “Transformimi Social Ekologjik në qarkun Berat”.

Pesë seminare 2-ditore u realizuan në 5 bashkitë e qarkut Berat (Berat, Dimal, Kuçovë, Poliçan dhe Skrapar), me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushave të ndryshme të bashkisë (energjisë, bujqësisë, pyjeve, industrisë, transportit, shërbimeve bashkiake publike), anëtarëve të këshillit bashkiak, përfaqësuesve të bizneseve, fermerëve dhe të rinjve.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi drejtësinë klimatike dhe transformimin social-ekologjik të sektorëve të energjisë, bujqësisë, pyjeve, industrisë, transportit, shërbimeve bashkiake publike dhe shërbimeve private, për të arritur nivele të larta të reduktimit të efekteve të ndryshimeve klimatike në të gjithë sektorët ekonomik dhe social të bashkive. Seminaret u drejtuan nga Dr. Besim Islami, ekspert në ndryshimet klimatike dhe energjetike. Nëpërmjet punës në grupe, pjesëmarrësit analizuan transformimin socio-ekologjik në sektorë të ndryshëm të bashkisë së tyre.

Gjate seminarit u theksua nevoja për një proces gjithëpërfshirës. Nga njëra anë, është shumë i rëndësishëm roli i pushtetit vendor në mbështetje të këtij procesi duke u angazhuar për një transformim të infrastrukturave dhe të institucioneve. Paralelisht ky proces kërkon angazhim qytetar, të individëve, sektorit privat dhe shoqërise civile. Ky bashkëpunim gjithëpërfshirës mes aktorëve të ndryshëm mbetet thelbësor për transformimin e strukturave ekonomike dhe shoqërore drejt formave të qëndrueshme solidare dhe ekologjike të ekonomisë, bashkëjetesës dhe veprimit.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986


info.tirana(at)fes.de