06.11.2025

Mundësitë nga Plani i Rritjes së BE dhe detyrat e shtëpisë për vendet Ballkanit Perëndimor - Celik Rruplli, Nëntor 2025

Ndërkohë që sot vëmendja është e gjitha në Bruksel për Paketën e Re të Zgjerimit për vendet kandidate, ku përveç vlerësimit mbi nivelin e pregatitjes së tyre, ka interes mbi pikëpamjen e Komisionit Evropian mbi realizueshmërinë e objektivave të marra nga vendet për të plotësuar kushtet për anëtarësim në një periudhe të afërme, është e rëndësishme t’i rikthehemi një tjetër eventi të javëve të fundit, me në fokus po ashtu zgjerimin dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Bëhet fjalë për vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë tetorit 2025 e cila përcolli një mesazh të qartë për rajonin, për qytetarët dhe për liderët politik, por edhe për vetë Bashkimin Evropian: zgjerimi nuk është vetëm një premtim i vjetër politik, por një nevojë gjeostrategjike dhe ekonomike, e theksuar nga rrethanat e pas-luftës në Ukrainë dhe sfidat globale.

Edhe pse vendet e rajonit gjenden në korsi dhe shpejtësi të ndryshme në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ajo u kujdes t’i kujtonte liderave mundësitë reale për përfitimet e këtij procesi, me kusht ndërmarrjen e reformave dhe forcimit të institucioneve. 

Më konkretisht, në Malin e Zi dhe Shqipëri, të cilët janë më pranë anëtarësimit me një dritare në 2030, duke i përgëzuar për rezultatet e arritura me hapjen e negociatave me BE dhe mbylljen e disa kapitujve për Malin e Zi, von der Leyen i njohu reformat e ndërmarra në kuadër të anëtarësimit të plotë në BE. 

Duke nënvizuar anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë ne SEPA (Single Euro Payments Area) në fillim të Tetorit 2025, Presidentja e Komisionit theksoi se nga ky anëtarësim, përfitimi i qytetarëve dhe bizneseve në rajon mund të arrijë në 500 milionë euro. Po ashtu, ajo njoftoi dhe disbursimin e fondeve të reja nga Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor (që shkon pjesësisht si mbështetje direkte në buxhetet e vendeve dhe pjesërisht në projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor), si dhe mundësinë e heqjes së tarifave roaming me BE nga viti 2026. Duke i kujtuar vendeve të vazhdojnë reformat e qëndrueshme, ajo vuri theksin te nevoja e tyre qe të konsolidojnë institucionet dhe të përshpejtojnë zbatimin e masave ekonomike për të përfituar nga mundësitë që ofron BE-ja. 

Në Maqedoninë e Veriut, vendi i cili ka bërë përparime me reformat dhe potencialisht mund të kapi korsinë e anëtarësimit shpejt, Presidentja e Komisionit Europian njoftoi po ashtu disbursim të fondeve të reja prej rreth 16 milion euros nga Plani i Rritjes. Ajo i rikujtoi lidershipit të vendit se ndryshimet kushtetuese në lidhje me ngërcin për heqjen e vetos bullgare, jane hapi i fundit për hapjen e negociatave, duke e lënë “topin në fushën e tyre”. 

Ndërsa në Serbi, e cila duket se e ka humbur pozicionin e vendit lider në lidhje me avancimin e negociatave për anëtarësim, von der Leyen, ndryshe nga herë të tjera, ndryshoi tonin e vizitës së saj, duke u fokusuar tek liria, demokracia dhe sundimi i ligjit. 

Ajo theksoi ndarjen midis demokracive dhe autokracive në botë dhe kërkoi përshpejtim të reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe transparencën zgjedhore. Megjithëse Serbia ka bërë hapa proceduralë (ligji për regjistrin e zgjedhësve, Këshilli i Autoritetit Rregullativ për Mediat Elektronike), von der Leyen theksoi se zbatimi i tyre është test real. Ajo gjithashtu kërkoi linjëzim më të madh me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, ku Serbia aktualisht ka vetëm 61% të politikës së saj të jashtme dhe sigurisë të linjëzuar me atë të BE-së. 

Vizita përfshiu edhe një takim të veçantë me shoqërinë civile, duke treguar se BE-ja nuk e konsideron qeverinë si aktorin e vetëm për dialog, por dëshiron të dëgjojë zërat e pavarur të qytetarëve dhe ekspertëve.  Pra, mesazhi për Serbinë, në mënyrë që të përfitojë nga Plani i Rritjes dhe përshpejtimin e negociatave me BE-në, është të përshpejtojë reformat, të rrisë përputhshmërinë me politikën e jashtme të BE-së dhe të krijojë hapësirë për shoqërinë civile si partner kyç në procesin e integrimit.

Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë, vend i gjendur në korsinë e fundit në lidhje me ecurinë e negociatave, von der Leyen theksoi rëndësinë për të përfituar nga Plani i Rritjes dhe Agendën e Reformave të dorëzuara së fundi. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për të emëruar një negociator kryesor për të ecur më tej me bisedimet e anëtarësimit. Ajo vizitoi Memorialin e Srebrenicës, duke rikujtuar angazhimin e BE-së për të mbrojtur kujtesën historike dhe procesin e pajtimit.

Megjithatë, për Bosnje-Hercegovinën, mesazhet mbetën më të përgjithshme, pa një ofertë konkrete për hapjen e kapitujve të negociatave. 71-72% e qytetarëve besojnë në BE, por përparimi politik dhe institucional mbetet sfidues, duke përfshirë ndërlikimet e organizimit zgjedhor dhe mungesën e konsensusit ndër-etnik.

Ndërsa Kosova, e cila ndodhet e fundit në ecurinë drejt anëtarësimit në BE, heqja e sanksioneve e BE-së për shkak të (mos) ecurisë së dialogut me Serbinë dhe vonesa e krijimit të institucioneve (Parlamenti i ri dhe Qeveria e re) pas zgjedhjeve të Shkurtit 2025, ishin në qendër të vizitës. Nga ana e tyre, liderët e Kosovës kërkuan heqjen e sanksioneve, statusin e vendit kandidat, dhe bashkëpunim përmes iniciativës “Single Market Highway” të Planit të Rritjes në sektorët e bujqësisë, ICT dhe industries së mbrojtjes. Nga ana e saj, von der Leyen theksoi nevojën për krijimin e institucioneve të forta në mënyrë që të përfitojë nga mbështetja konkrete e BE-së dhe ulje të tensioneve në veri të vendit. 

 

“Nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën”. Vizita e saj përkoi me Forumin e parë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, mbajtur për herë të parë në Tiranë gjatë datave 13-14 Tetor, dhe mblodhi së bashku bizneset nga sektori privat, institucione publike dhe financiare nga rajoni dhe BE-ja.  Ky është një moment që ajo e cilësoi si provë konkrete të mënyrës se si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor mund ta shndërrojë konvergjencën politike në konvergjencë ekonomike.

Në fjalimin e saj, von der Leyen theksoi potencialin e jashtëzakonshëm të investimeve në rajon dhe ndikimin transformues të Planit, duke i ftuar investitorët të bëhen pjesë aktive e këtij procesi, i cili potencialisht mund dyfishojë PBB-në rajonale në dekadën e ardhshme. 

Presidentja nënvizoi se marrëveshjet e sektorit privat të nënshkruara ose në proces gjatë Forumit mund të mobilizojnë rreth 4 miliardë euro investime të reja në energji të pastër, infrastrukturë dixhitale dhe prodhim industrial. “Sot po i dërgojmë një sinjal të qartë komunitetit të biznesit: Nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën.”

Një ndër arritjet më të rëndësishme të përmendura ishte anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë në SEPA (Single Euro Payments Area) nga tetori 2025, një hap që do të ulë ndjeshëm kostot e transaksioneve për bizneset dhe pritet të kursejë rreth 500 milionë euro çdo vit. Ky zhvillim, tregon se integrimi evropian po fillon të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe kompanitë e rajonit. 

Në fushën dixhitale, von der Leyen njoftoi nisjen e Fabrikave të Inteligjencës Artificiale (IA) në rajon (me dy “antenat” e para në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi), të cilat do të lidhen përmes një rrjeti dixhital me shpejtësi të lartë. Këto qendra, si dhe Qendra e të Dhenave AI në Kosovë, do t’u mundësojnë kompanive lokale akses në infrastrukturën evropiane të inteligjencës artificiale, duke forcuar aftësinë e rajonit për të zhvilluar dhe zbatuar teknologjitë e së ardhmes. 

Në të njëjtën linjë, ajo theksoi rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor në arkitekturën e re energjitike të Evropës, si prodhues, ruajtës dhe shpërndarës i energjisë së pastër. Investimet në energjinë e rinovueshme dhe në ruajtjen e energjisë (referuar projekteve në Mal të Zi dhe Shqipëri) pritet të ulin kostot, të hapin vende pune dhe të forcojnë sigurinë energjetike në të gjithë rajonin. 

Në përmbyllje, von der Leyen vuri theksin tek integrimi industrial dhe nevoja për të përfshirë prodhuesit vendas në zinxhirët evropianë të furnizimit, për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe konkurrueshmëri. Ajo përmendi sektorë si bateritë, farmaceutikën, riciklimin e tekstileve dhe industrinë agro-ushqimore, që përmes Planit të Rritjes po përfitojnë nga harmonizimi rregullator dhe nga partneritetet industriale me ndërmarrje evropiane, duke u mundësuar bizneseve të ndiejnë përfitimet e tregut të përbashkët që përpara anëtarësimit zyrtar në BE.

 

Hendeku ekonomik që mbetet dhe sfidat për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. 

Megjithatë, me gjithë ecurinë dhe progesin e arritur nga vendet, sfidat janë reale. Grantet për Ballkanin Perëndimor janë shumë më të vogla në krahasim me ato për vendet anëtare. Pavarësisht investimeve dhe planeve, konvergjenca ekonomike dhe zhvillimore me BE-në mbetet e vonuar, duke kërkuar politika më ambicioze, reformat e duhura dhe përmbushje të premtimeve nga Brukseli.

Po ashtu, në raportin e publikuar së fundi “Regional Economic Outlook for Europe, October 2025” sinjalizon se ritmet e rritjes po zbehen në të gjithë rajonin, për shkak të kushteve më të shtrënguara të financimit, rënies së kërkesës së jashtme dhe inflacionit të lartë të mbetur nga krizat e viteve të fundit. FMN thekson se modeli ekonomik i rajonit mbetet i brishtë dhe i varur nga konsumimi i brendshëm dhe remitancat, ndërsa produktiviteti dhe eksportet me vlerë të shtuar janë ende të ulëta. Varësia e lartë nga turizmi, mungesa e reformave institucionale dhe emigracioni i vazhdueshëm i fuqisë punëtore kufizojnë potencialin e rritjes afatgjatë.

Ndaj, për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e Plani të Rritjes Ekonomike dhe investimeve strategjike të BE-së, vendet e rajonit duhet të forcojnë institucionet e tyre dhe të ndjekin reforma të qëndrueshme, sidomos në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. 

Integrimi në zinxhirët evropianë, zhvillimi i sektorëve strategjikë si teknologjia, energjia dhe industria bujqësore, dhe bashkëpunimi rajonal janë gjithashtu elementë kyç për përfitimin e plotë nga mundësitë e ofruara nga BE-ja. 

E fundit por jo për nga rëndësia për vendet e rajonit, për të garantuar suksesin në reformat ekonomike dhe qenë konkurues në tregun e përbashkët, si dhe për të ndalur rënien demografike, mbetet fokusi dhe investimi në kapitalin njerëzor, me plane dhe strategji konkrete për të fuqizuar ata dhe ndërlidhur më mire diasporat e tyre.  

Nga ana tjetër, paralelisht, Bashkimi Evropian ka përgjegjësinë të përmbushë premtimet e tij dhe të sigurojë një mbështetje të qëndrueshme. Ndonëse debati që po zhvillohet aktualisht për reformimin e brendshëm të BE-së në konktekstin e zgjerimit të ardhshëm me vendet e rajonit, Ukrainën dhe Moldavinë është i mirëpritur, ai duhet të shoqërohet me një roadmap konkret me afate specifike për secilin vend në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. 

Afatet imponojnë zgjedhje dhe nxisin vullnetin politik, pasi pëndryshe, problemi mbetet vonesa. 

 

 

MBI AUTORIN

Çelik Rruplli, analist mediatik me përvojë në spektrin mediatik shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian.

 

Opinionet, përfundimet dhe rekomandimet e shprehura në këtë botim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Fondacionit Friedrich Ebert apo të organizatave ku autorët punojnë.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986

info.tirana(at)fes.de