Perceptimi i shqiptarëve për sigurinë i kapur nga Barometri 2022

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, e mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung Tirana, ka përfunduar Barometrin Shqiptar të Sigurisë 2022.

Ky është edicioni i katërt i Barometrit, që lidh sigurinë me opinionet e qytetarëve, në një përpjekje për të forcuar ndikimin e opinionit publik në proceset e politikëbërjes në lidhje me politikat e sigurisë dhe ofrimin e sigurisë. Gjetjet e barometrit iu prezantuan politikëbërësve, praktikuesve të sigurisë, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile në një tryezë të rrumbullakët me temë "Lidhja e politikëbërjes dhe ofrimit të sigurisë me qëndrimet dhe shqetësimet e qytetarëve" më 28 qershor 2002.

Barometri i sigurisë 2022 fokusohet në katër tema kryesore:

Së pari, ai kap opinionin dhe qëndrimet e qytetarëve për aspekte të ndryshme të kërcënimeve të sigurisë.

Së dyti, fokusohet në sigurinë bashkëpunuese, duke kapur opinionin e qytetarëve për NATO-n, OSBE-në, BE-në dhe OKB-në, rolin dhe kontributin e tyre, si dhe pritshmëritë e shqiptarëve nga këto organizata.

Tema e tretë e barometrit është siguria gjinore, barazia dhe integrimi gjinor në përgjithësi. Një fokus i veçantë i kushtohet pjesëmarrjes së grave dhe barazisë në fushën e sigurisë.

Së katërti, ky botim i kushton vëmendje të veçantë korrupsionit duke shqyrtuar shkaqet, faktorët, përgjigjet institucionale dhe besimin në ndërhyrjen antikorrupsion nga institucionet shtetërore, duke eksploruar edhe lidhjen mes korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të dhënat e Barometrit synojnë të ofrojnë njohuri të rëndësishme mbi perceptimet e qytetarëve shqiptarë për sigurinë, duke promovuar debate të mirëinformuara mbi sigurinë dhe nxitjen e zhvillimit efektiv të politikave dhe reformave nga vendimmarrësit.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986


info.tirana(at)fes.de