Shqipëria drejt politikës së jashtme feministe - Geldona Metaj, Korrik 2024
Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishme drejt barazisë gjinore brenda vendit dhe është angazhuar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar për të drejtat e grave, por kalimi, përtejdeklaratave, drejt një politike të jashtme feministe kërkon angazhim politik të qëndrueshëm. Kjo nënvizon nevojën për angazhim të mëtejshëm të Shqipërisë për të zhvilluar një kuadër të unifikuar të politikës së jashtme feministe me atë të vendeve të Bashkimit Evropian.
Trajta e politikës së jashtme feministe
Parimet feministe nënvizojnë rëndësinë e mbrojtjes të të drejtave të grave, pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në proceset vendimmarrëse, shpërndarjen e burimeve për përparimin e barazisë gjinore dhe përballjen me diskriminimin dhe dhunën me bazë gjinore. Duke i dhënë përparësi barazisë gjinore, nisma nga vende të ndryshme po i japin njohje të gjerë rëndësisë së parimeve feministe në formësimin e agjendave gjithëpërfshirëse në politikën së jashtme.
Një politikë e jashtme feministe, siç advokohet nga organizata si Kvinna till Kvinna, ofron një qasje gjithëpërfshirëse për trajtimin e pabarazive globale dhe promovimin e barazisë gjinore. Politika e jashtme feministe nënkupton përpjekje të qëndrueshme, udhëheqje të fortë dhe procese transparente. Parimet e të drejtave, burimeve dhe përfaqësimit janë në thelb të politikës së jashtme feministe dhe të strategjive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shpërndarjen e burimeve në mënyrë të drejtë dhe promovimin e përfshirjes së grave në proceset vendimmarrëse. Duke përqafuar një politikë të jashtme feministe, vendet tregojnë solidaritet me grupet e margjinalizuara dhe u rezistojnë lëvizjeve anti-gjinore, kontribuojnë për parandalimin e konflikteve dhe advokojnë për financim për organizatat e grave në mbarë botën.
Për herë të parë, qëllimet e një politike të jashtme feministe në një nivel ndërkombëtar u përcaktuan në Deklaratën Politike mbi Qasjet Feministe në Politikën e Jashtme gjatë Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në një ngjarje të nivelit të lartë mbi Politikën e Jashtme Feministe në New York, më 20 shtator 2023. Ky ishte një hap i rëndësishëm dhe vendimtar ku për herë të parë u dha një përkufizim më i standardizuar i politikës së jashtme feministe si një “qasje feministe, ndërsektoriale dhe transformuese gjinore në politikat e jashtme duke u bazuar në integrimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave në të gjithë diversitetin e tyre dhe duke marrë parasysh format e shumta të diskriminimit, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile dhe lëvizjet feministe.”
Shqipëria e nënshkroi Deklaratën Politike për Qasjet Feministe ndaj Politikës së Jashtme në krah të përfaqësuesve të qeverive të vendeve të grupit Feminist Foreign Policy Plus (FFP+) që përfshin Shqipërinë, Argjentinën, Belgjikën, Kanadanë, Kilin, Kolumbinë, Kosta Rikën, Francën, Gjermaninë, Izraelin, Liberinë, Luksemburgun, Meksikën, Mongolinë, Ruandën, Spanjën, Holandën dhe Tunizinë.
Më herët, në vitin 2022, Qendra për Politikën e Jashtme Feministe organizoi për herë të parë Konferencën inauguruese kushtuar politikës së jashtme feministe në bashkëpunim me qeveritë e Kanadasë, Suedisë, Meksikës dhe me organizata të shoqërisë civile. Samiti ishte një mundësi për të bërë bashkë praktikantë dhe udhëheqës të poltikës së jashtme feministe për të mbështetur shkëmbimin e praktikave, njohurive dhe ekspertizës më të mirë. Gjithashtu, për të mbështetur përpjekjet advokuese për përfshirjen e politikës së jashtme feministe mes vendeve të tjera dhe për të patur qëndrim të unifikuar kundër pabarazive në nivel global.
Po në vitin 2022, në Berlin u organizua Konferenca mbi Formimin e Politikës së Jashtme Feministe. Në këtë Konferencë u trajtuan çështje lidhur me dhunën me bazë gjinore dhe rezistencën e fortë në rritje me të cilën përballen çështjet gjinore, ekonominë gjithëpërfshirëse, marrëdhëniet kulturore feministe dhe politikat arsimore, rolin e grave në situata të konfliktit, ndihmën humanitare me ndjeshmëri gjinore, buxhetimin gjinor dhe ndikimi i politikës së jashtme feministe tek paqja dhe siguria në mbarë botën.
Duke u mbështetur në këtë platformë, Holanda ishte mikpritësja për Konferencën e rradhës në shtator të vitit 2023. Konferenca synoi të zgjerojë kuptimin dhe të nxiste dialogun mbi politikën e jashtme feministe. Ndërsa në vitin 2024, Meksika do të organizojë konferencën e ardhshme, duke sinjalizuar angazhimin e vazhdueshëm të vendeve për avancimin e parimeve feministe në politikat ndërkombëtare.
Pionerët e politikës së jashtme feministe
Përpjekjet e Suedisë në vitin 2014 krijuan modelin e parë për këtë lëvizje transformuese. Suedia u përkushtua që të përfshijë këndvështrimin e barazisë gjinore në të gjitha aspektet e marrëdhënieve të saj me jashtë. Suedia zhvilloi të ashtuquajturën qasje 3R - të drejtat (rights), përfaqësimi (representation) dhe burimet (resources) në formulimin e konceptit të saj feminist për politikën e jashtme.
Që prej këtij viti, një numër në rritje vendesh kanë ndjekur shembullin e Suedisë ose kanë shprehur qëllimin e tyre për të patur një politikë të jashtme feministe. Në Kanada, miratimi i Politikës Feministe të Ndihmës Ndërkombëtare nënvizon përkushtimin e vendit për zhdukjen e varfërisë dhe promovimin e paqes dhe prosperitetit përmes barazisë gjinore. Në mënyrë të ngjashme, Meksika u bë vendi i parë i Jugut Global që përqafoi një politikë të jashtme feministe në vitin 2020, duke i përfshirë këto parime në Kushtetutë.
Promovimi i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore ka qenë prej kohësh në fokus i politikës së jashtme holandeze. Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës i ka kushtuar vëmendje të konsiderueshme pjesëmarrjes thelbësore të grave dhe shqyrtimit të efekteve të politikës tek gratë përsa i përket diplomacisë. Angazhimi i Holandës ndaj parimeve feministe përputhet me përpjekjet më të gjera për të avancuar barazinë gjinore në skenën globale.
Gjermania, gjithashtu, ka ndërmarrë hapa konkrete drejt integrimit të perspektivave feministe në agjendën e saj të politikës së jashtme. Në mars 2020, Ministria e Jashtme Federale Gjermane hartoi një raport mbi barazinë gjinore në politikën e jashtme gjermane duke nënvizuar angazhimin e qeverisë për integrimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Ndërkaq, Parlamenti Evropian në vitin 2020 rekomandoi një politikë të jashtme feministe dhe të sigurisë që bën thirrje për integrimin gjinor, mbrojtjen e të drejtave të grave, promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të grave në parandalimin dhe ndërmjetësimin e konflikteve dhe duke propozuar që 85% e Asistencës Zyrtare për Zhvillim të shkojë në programe për barazinë gjinore. Ndërkohë, partitë politike dhe ligjvënësit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara po advokojnë për zbatimin e kësaj politike.
Hapat e Shqipërisë drejt një politike të jashtme feministe
Shqipëria ka qenë proaktive në integrimin e barazisë gjinore në programet politike në vend. Më herët, Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në Konferencën mbi Formimin e Politikës së Jashtme Feministe në Berlin në vitin 2022 dhe nënshkroi në vitin 2023 Deklaratën Politike mbi Qasjet Feministe në Politikën e Jashtme në Sesionin e 78-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.Nëpërmjet kësaj deklarate, Shqipëria dhe vendet e tjera shprehin angazhimin e qeverive përkatëse për të patur qasje feministe, ndërsektoriale dhe transformuese gjinore në politikat e jashtme.
Teksa Shqipëria ka artikuluar në parim angazhimin e saj për një politikë të jashtme femiste, hapat konkrete drejt zbatimit janë të panjohura. Shqipëria ende nuk ka një deklaratë publike apo politikë të artikuluar qartë lidhur me përfshirjen e qasjes feministe në nismat e politikës së jashtme të vendit. Megjithatë, duke njohur potencialin transformues të barazisë gjinore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë veprimesh dhe nismash.
Shqipëria ka miratuar Planin e Veprimit Për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Për gruan, paqen dhe sigurinë” për 2018 – 2020 dhe 2023 – 2027. Këto plane veprimi njohin rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në përpjekjet për paqe dhe siguri dhe përmbajnë hapa konkrete për të rritur përfshirjen e grave në parandalimin e zgjidhjen konflikteve dhe proceset e ndërtimit të paqes.
Po ashtu, Shqipëria i ka dhënë përparësi emërimit të grave në postet kryesore diplomatike, duke njohur kontributin e tyre të çmuar në formësimin e prioriteteve dhe strategjive të politikës së jashtme. Megjithatë, pjesëmarrja e grave si ambasadore është ende më i ulët në krahasim me burrat. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (prill 2024), përqindja e grave në postet Ambasador është më e ulët, përkatësisht 28% gra dhe 72% burra. Po ashtu, edhe si ambasadore në vendet e Bashkimit Evropian, gratë kanë përfaqësim më të ulët në krahasim me burrat, përkatësisht 39% gra dhe 61% burra. Ndërsa, në misione të tjera diplomatike, Shqipëria përfaqësohet me 4 gra (Kombet e Bashkuara, Gjenevë, UNESCO dhe UNOV.OSBE) dhe 3 burra (Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO). Por, këto të dhëna të publikuara nuk janë të mjaftueshme për të kuptuar të gjitha pozicionet që mbajnë gratë në trupat diplomatike. Ndaj, Shqipëria ka nevojë për angazhim të mëtejshëm për të përfshirë të dhëna gjinore për pjesëmarrjen e grave në politikën e jashtme për të forcuar dhe për të përafëruar përpjekjet për barazi gjinore drejt një politike të jashtme feministe.
Gjithashtu, Shqipëria ka ndërmarrë reforma legjislative për të trajtuar pabarazitë gjinore dhe diskriminimin sistematik që synojnë të forcojnë mbrojtjen ligjore për gratë dhe vajzat dhe të promovojnë politikat e ndjeshme gjinore në të gjithë sektorët. Shqipëria angazhohet në mënyrë aktive në forume rajonale dhe ndërkombëtare për të promovuar barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Nëpërmjet partneriteteve me organizata si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, Shqipëria ka ndërmarrë politika dhe nisma kombëtare dhe rajonale që synojnë fuqizimin e grave, luftojnë dhunën me bazë gjinore dhe promovojnë zhvillimin gjithëpërfshirës.
Por, ndërkohë që Shqipëria ka bërë përparim brenda vendit për barazinë gjinore, përkthimi i këtyre përpjekjeve në një politikë të jashtme feministe kërkon vullnet politik të qëndrueshëm dhe ndërgjegjësim të shoqërisë. Shqipëria u është bashkuar që në vitin 2022 përpjekjeve në shkallë ndërkombëtare për politikën e jashtme feministe. Por, ende nuk ka përpjekje brenda vendit për të ndërmarrë veprimeve konkrete dhe nuk ka shpërndarje të dukshme të informacionit në shoqëri për hapat e Shqipërisë drejt një politike të jashtme feministe. Po ashtu, ka mungesë të informacionit për përfitimet që do të ketë Shqipëria nëse do të përqafojë politikën e jashtme feministe.
Disa sfida drejt zbatimit të politikës së jashtme feministe mund të hasen me përdorimin e termit “feminizëm”, që në të shumtën e rasteve janë zëvendësuar me termin “barazi gjinore” në formulimin e politikave të brendshme. Termi “feminizëm” në vetvete është kuptuar dhe interpretuar në mënyrë të gabuar si “sundimi i grave ndaj burrave”. Ndaj, qasja për një politikë të jashtme feministe ka gjasa që të hasë rezistencë ose kundërshtim nga ata që janë kundër termit “feminizëm” dhe përparimit të grave në jetën politike brenda vendit, në diplomaci dhe në fusha të tjera. Po ashtu, hulumtimet për feminizmin dhe për ndikimin e lëvizjeve feministe në Shqipëri janë të pakta dhe sporadike. Këto ndikojnë për të kuptuar feminizmin dhe ndikimet që ka feminizmi në shoqëri dhe si rrjedhojë mund të ngadalësojë procesin e formulimit të qartë të qasjeve feministe në politikën e jashtme shqiptare. Ndaj, së pari është me rëndësi që Shqipëria të paraqesë një deklaratë publike për angazhimin politik dhe nismat konkrete që do të ndërmarrë për politikën e jashtme feministe. Zotimi publik për politikën e jashtme feministe ndihmon vendin që të mos vendosë parimet feministe në politikën e jashtme vetëm në dukje, por që të ndërmarrë veprime konkrete ndaj saj. Së dyti, për të kapërcyer rezistencat apo kundërshtitë ndaj politikës së jashtme feministe është i nevojshëm forcimi i kapaciteteve institucionale për të mbështetur dhe për të ndërmarrë nisma konkrete për politikën e jashtme feministe. Së treti, është thelbësor ndërgjegjësimi dhe edukimi i strukturës politike duke përfshirë politikëbërësit, diplomatët dhe shoqërinë në tërësi për rëndësinë dhe përfitimet e politikës së jashtme feministe.
Politika e jashtme feministe përfaqëson një lëvizje transformuese që synon përparimin e barazisë dhe drejtësisë gjinore në formësimin e agjendave të politikës së jashtme. Përpjekjet për politikën e jashtme feministe kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, forcim institucional dhe qëndrueshmëri. Vendet mund të kontribuojnë në mënyrë të unifikuar për politika më të drejta dhe gjithëpërfshirëse dhe politika e jashtme feministe të shërbejë si një gur themeli për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë.
MBI AUTORËT
Geldona Metaj, doktorante për çështjet gjinore në politikë në Universitetin e Tiranës.
Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë
Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania