06.11.2025

Shqipëria si kontributor i moderuar në bashkëpunimin rajonal - Antonela Dhimolea, Nëntor 2025

Roli i bashkëpunimit rajonal vazhdon të mbetet një faktor thelbësor dhe i domosdoshëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor por edhe në përshpejtimin e integrimit të tyre në familjen europiane.

Një rajon i sigurt, paqësor dhe i zhvilluar do të çonte jo vetëm në përmirësimin e jetesës së 17 milion qytetarëve të tij por gjithashtu do të kontribuonte në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të Europës në tërësi. Gjithashtu, një rajon i qëndrueshëm mund të veprojë si një mekanizëm konstruktiv kundër krizave të mundshme rajonale dhe globale dhe për këtë arsye integrimi europian i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një ambicie e pafajshme rajonale, por është një domosdoshmëri strategjike dhe esenciale për kontinentin europian. 

Duke kuptuar misionin domethënës të bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, Shqipëria ka rritur ndjeshëm angazhimin e saj në këtë dimension parësor të politikës së jashtme duke përmbushur me përkushtim të gjitha detyrimet që rrjedhin nga mekanizmat përkatës të këtij bashkëpunimi. Shqipëria është anëtarësuar në 37 nisma rajonale duke dëshmuar që kërkon një përfaqësim dinamik dhe gjithëpërfshirës në bashkëpunimin rajonal. 

Pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në nismat rajonale rrit profilin dhe imazhin e saj politik në rajonin e Europës Juglindore nëpërmjet ndërveprimit me vendet e tjera anëtare të nismave. Nismat rajonale janë platforma ku zhvillohet debati intensiv politik dhe ku vendet negociojnë për të gjetur konsensusin për vendimarrje të ndryshme. 

Theksojmë se në nismat rajonale zhvillohen debate të forta midis Kosovës dhe Serbisë (në nismat ku merr pjesë Kosova si  SEECP, WBF, MARRI etj) ndërsa në Organizatën e Bashkëpunimit Eknomik të Detit të Zi (BSEC) debati zhvillohet midis Rusisë dhe Ukrainës, Armenisë dhe Azerbjaxhanit. Në këtë kontekst, Shqipëria është përpjekur gjithmonë të luajë një rol sa më konstruktiv për të mbështur Kosovën dhe Ukrainën si dhe për të treguar se është një aktor energjik rajonal.    

Shqipëria ka kontribuar duke mbajtur një qëndrim të moderuar në bashkëpunimin rajonal, duke qenë pjesë e negociatave për çështje të ndryshme sensitive, si dhe duke zbatuar të gjitha angazhimet që rrjedhin nga pjesëmarrja në këto nisma. Ndër vite, Shqipëria ka mbajtur edhe mban pozicione drejtuese në nismat rajonale në poste të rëndësishme si; Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, znj.Majlinda Bregu, Drejtori ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, z. Gjergj Murra dhe  Drejtore e Nismës së Europës Qëndrore për Tregti të Lirë, znj. Pranvera Kastrati. Nënvizojmë se pjesëmarrja aktive në nismat rajonale ka mundësuar punësimin  e shumë shqiptarëve në sekretariatet e tyre dhe gjithashtu pjesëmarrjen e Shqipërisë në projekte të fushave të ndryshme.

Në vijim, një vlerë e shtuar është se Shqipëria dhe Kosova mbeten të angazhuara në forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të koordinuar në kuadër të nismave rajonale, me synim avancimin e interesave të përbashkëta dhe rritjen e rolit të tyre në rajon.  Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e përfaqësimit të Kosovës në nisma rajonale, duke kontribuar kështu në rritjen e prestigjit të saj rajonal. Kosova është anëtarësuar në rreth 28 nisma rajonale të dimensioneve të ndryshme, duke treguar se është një faktor i konsoliduar rajonal,  por megjithatë mbetet ende një ambicie e fortë përfshirja e Kosovës në të gjitha mekanizmat rajonal.

Përveç bashkëpunimit rajonal, një prioritet i përbashkët midis dy vendeve është integrimi evropian, dhe nismat rajonale shihen si mjete të rëndësishme për përshpejtimin e procesit të integrimit. Në këtë drejtim, Shqipëria ka mbështetur fuqimisht Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në përafrimin e politikave të saj me politikat e BE-së. Kosova në nismat rajonale ulet si e barabartë në tavolinë me Serbinë dhe në këtë mënyrë Serbia e pranon “de Facto” Kosovën si shtet të ri dhe detyrohet të bashkëpunojë me të në kuadër të nismave rajonale. 

Anëtarësimi i Kosovës në këto nisma ka rëndësi sepse rrit dhe zhvillon dialogun politik të Kosovës me vendet e tjera anëtare të këtyre nismave, në funksion të zgjerimit të njohjeve të reja të shtetit të ri të Kosovës. Shqipëria ka mbështetur dhe vlerësuar presidencat e suksesshme të Kosovës në nismat rajonale por edhe Kosova ka mbështetur në mënyrë të ndërsjellë presidencat shqiptare në këto nisma. 

Nënvizojmë se në nismat rajonale ku merr pjesë Kosova sipas marrëveshjes së Brukselit 2012 Kosova përfaqësohet me asterisk (*). Kjo është reflektuar edhe në udhërrëfyeset e rregullave procedurale të nismave rajonale, të dakortësuara edhe nga Kosova. Si rrjedhojë në këto nisma, nuk përdoret termi shtet apo republikë, për shkak se Serbia kërkon të evitojë emrin zyrtar republika e Kosovës. Në këtë rast përdoren emrat e kryeqyteteve të vendeve anëtare të nismave si në dokumentacion ashtu edhe për uljen në tavolinat e bisedimeve. Gjithshtu në dokumentacion përdoret asterisk sa herë përmendet Kosova. 

Kjo praktikë shpesh perceptohet si pengesë politike dhe teknike në funksionimin normal të punës së nismave rajonale, duke krijuar mosmarrëveshje mbi mënyrën e përdorimit të asterisk në dokumente zyrtare. Debati i kohëve të fundit është fokusuar në kërkesën e Kosovës që asterisk të përdoret vetëm njëherë në dokumentet e nismave rajonale, siç përdoret në dokumentat e BE-së. Kjo kërkesë e Kosovës kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe si rrjedhojë konsenusi i munguar bllokon proceset e punës së nismave. 

Kosova nuk ka asnjë pozicion drejtues në nismat rajonale dhe Shqipëria kërkon vazhdimisht në tavolinat e bisedimeve që Kosova të marrë një pozicion, sepse i takon si anëtare me të drejta të plota. Unanimiteti në vendimarrje i përcaktuar në statutet e nismave, pengon Kosovën të marrë pozicion lidershipi për arsye se Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk japin konsensus për kandidaturat e Kosovës në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve. 

Aktualisht nuk kemi vende vakant në pozicione lidershipi në nismat politike rajonale, përvecëse në Fondin e Ballkanit Perndimor ku ka mbaruar mandati i drejtorit shqiptar ekzekutiv. Për rreth 3 vjet nuk po gjendet konsensusi midis Kosovës dhe Serbisë për të filluar procedurën e hapjes së thirrjes për vendin vakant. Serbia kërkon të aplikohet rendi alfabetik duke filluar nga Beogradi, ndërsa Kosova duke filluar nga Prishtina. Qëndrimi ynë i moderuar është të mbështesim Kosovën të marrë  pozicionin  e drejtorit ekzektuiv duke sugjeruar që pas Kosovës ta marrë Serbia. Për mungesë të konsensusit kjo çështje është bllokuar dhe duket pa zgjidhje, duke reflektuar në këtë mënyrë kompleksitetin dhe problematikën që përcjellin marrëdhëniet dypalëshe në panelet e bashkëpunimit rajonal. 

Mungesa e progresit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është pasqyruar fuqishëm edhe tek Procesi i Berlinit, i cili është instrument parësor për të hedhur baza të forta në drejtim të përshpejtimit të procesit të integrimit europian. Me iniciativë dhe vizion të Merkel, Procesi i Berlinit u krijua për të avancuar bashkëpunimin dhe dialogun rajonal mbi çështjet politike, ekonomike dhe sociale me qëllim përshpejtiminn e integrimit europian. Ndër vite, ky proces ka nxitur bashkëpunimin në shtylla kyçe si infrastruktura, tregtia, rrjetet e energjisë, qeverisja dhe sundimi i ligjit. Pavarësisht sfidave aktuale rajonale, procesi mbetet një mekanizëm fondamental për stabilitetin në rajon, duke përafruar politikat rajonale me standardet e BE-së dhe duke çuar përpara axhendën e zgjerimit të BE-së.

Shqipëria është palë e padiskutueshme e 5 marrëveshjeve të mobilitetit të Procesit të Berlinit dhe është e angazhuar në zbatimin e plotë të tyre. Këto marrëveshje lehtësojnë lëvizjen e lirë në rajon, duke zgjeruar edhe tregun e punës, nëpërmjet njohjes së kualifikimeve profesionale të profesioneve të rregulluara si dhe diplomave të Universiteteve. Në periudhën 2023-2025, Shqipëria ka mbështur fuqishëm përmirësimin dhe zbatimin e plotë  Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), në të cilën është pjesë nga viti 2007. Kjo marrëveshje së bashku me Procesin e Berlinit synojnë të krijojnë Tregun e Përbashkët Rajonal, me qëlllim qasjen e Ballkanit Perëndimor tek Tregu Unik Europian. Në këtë kontekst, Shqipëria sa bashku me vendet e tjera të rajonit po punojnë për zbatimin e Plan Veprimit 2 të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028. Ky Plan do të rrisë  mundësitë për punësim dhe investimet e huaja direkte, duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendit.

Në vijim, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një afat kohor deri në vitin 2027 është një tjetër instrument i BE-së që synon afrimin e vendeve të rajonit me BE duke përfshirë zbatimin e reformave kombëtare dhe arritjen e objektivave të përcaktuara që synojnë përmirësimin e kornizës ekonomike dhe sociale të rajonit tonë. Shqipëria duke u fokusuar në reformat e brendshme politike përmes Axhendës Kombëtare për Reformë dhe Rritje (2024–2027) është e angazhuar ndaj Planit të Rritjes së BE-së, i  cili po nxit integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke synuar përfitime paraprake para anëtarësimit në BE. 

Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor do t’i japë një shtysë të re zhvillimit ekonomik dhe procesit të integrimit të rajonit në BE. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka një rol thelbësor për nxitur përshpejtimin e konvergjencës ekonomike dhe zhvillimit social të rajonit në rrugën drejt integrimit evropian.

Dy marrëveshjet e Planit të Rritjes (lehtësia dhe kredia) janë miratuar nga parlamenti dhe Shqipëria deri tani ka përfituar nga ky Plan 99.3 milion euro duke synuar që deri në vitin 2027 të përfitojë 922 milion euro. Shqipëria ka përfunduar gjithashtu procesin e anëtarësimit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA), së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Moldavinë, duke zgjeruar në këtë mënyrë hartën gjeografike të kësaj zone të rëndësishme.

Në lidhje me tarifat e roaming-ut ndërmjet BE-së dhe rajonit, duke inkurajuar përpjekjet për të zbatuar parimin “Roam like at home”, të ngjashme me ato të Moldavisë dhe Ukrainës, Shqipëria mori lajmin e mirë që në 2026 do të hiqen tarifat roaming me BE. Gjithashtu, kemi rezultate konkrete në zbatimin e Korridoreve të Gjelbërta dhe Blu të cilat shkurtojnë kohën e pritjes për procedurat përkatëse të lëvizjes së mallrave. Shqipëria ka Korridor të Gjelbër me Maqedoninë e Veriut, Kosovën , Malin e Zi, si dhe Korridor Blu me Kroacine, Bosnjë-Hercegovinën, Greqinë dhe Malin e Zi. Shqipëria është gjithashtu pjesë e Korridorit VIII, i cili synon të lidhë detin Adriatik me Detin e Zi në Bullgari. 

Në vijim të Presidencave të suksesshme të OSBE-së dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si rrjedhojë e angazhimit gjithëpërfshirës në bashkëpunimin rajonal në periudhën 2023-2025, Shqipëria drejtoi me sukses presidencat e 6 nismave rajonale: Procesi i Berlinit (2023), Nisma Qendrore Evropiane (2024), Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (janar–qershor 2024), Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (korrik 2024–qershor 2025), Nisma për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët (korrik 2024–qershor 2025), Procesi i Brdo-Brijunit për vitin 2025. 

Në këtë kontekst, Tirana u kthye në këtë dyvjeçar në një qendër të rëndësishme diplomatike rajonale ku mbaheshin takime të zyrtarëve të lartë, takime të ekspertëve të fushave të ndryshme, takime të Ministrave të Jashtëm, Asamble parlamentare si dhe takime të Krerëve të Shtetit. Ndër këto takime mund të përmendim Ministeriali dhe Samiti i Procesit të Berlinit, Ministeriali i Nismës së Europës Qëndrore, Asamblet Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi, Nismës së Europës Qëndrore, Proçesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, Ministeriali dhe Samiti i Proçesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore si dhe së fundmi Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit. 

Vlen të theksohet se me iniciativë të Kryeministrit Rama, Shqipëria ka qenë i pari vend i Ballkanit Perëndimor që ka mirëpritur takime të rëndësishme të liderave si; Samiti i Procesit të Berlinit (16 tetor 2023), takimi i liderave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor (6 dhjetor 2022), Samiti Ukraine-Europa Juglindore (28 shkurt 2024) si dhe takimi i liderave të Komunitetit Politik Europian (16 maj 22025), i cili luajti një rol të jashtëzakonshëm në lehtësimin e dialogut mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, si dhe sfidat e mobilitetit dhe fuqizimin e të rinjve.

Pjesëmarrja e liderave botërorë në këto Samite në Tiranë dëshmon që Shqipëria është kthyer në një atraksion diplomatik-turistik dhe në një kontributor të moderuar jo vetëm  në bashkëpunimin rajonal por edhe më tej. Në vijim, Shqipëria në 2027 do të mirëpresë Samitin e ardhshëm të liderave të NATO-s, duke përforcuar edhe njëherë rolin e saj në rritje në NATO por edhe në forcimin e sigurisë kolektive në arenën globale. Do të jetë e para herë që Samiti i ardhshëm i NATO-s mbahet në një vend të rajonit të Ballkanit, ndërkohë që vende të BE-së si Hungari, Slloveni apo Rumani nuk kanë mikëpritur ende Samit të NATO-s në vendet e tyre. 

Si përfundim, suksesi i vazhdueshëm i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht përmes zbatimit të Plan-Veprimit 2 të Tregut të Përbashkët Rajonal, do të jetë thelbësor në mbështetjen e procesit të integrimit të Ballkkanit Perëndimor në BE. Ai shrben si një pjesë e rëndësishme e strategjisë së re të komunikimit të Komisionerit Evropian për Zgjerimin, e hartuar për të rritur mbështetjen publike për integrimin në BE të vendeve të Balkanit Perëndimor. Shqipëra i është bashkuar vizionit premtues të konvergjencës ekonomike që synon ta bëjë Ballkanin Perëndimor më të fortë, më të begatë dhe në përputhje me standardet e BE-së. Kjo përfshin nxitjen e rritjes së brendshme ekonomike dhe integrimin gradual të rajonit në BE. Shqipëria ka hapur 5 grup-kapituj të negociatave me BE dhe synon që deri në fund të vitit të hapë gjithë kapitujt e negocimit. Ambicia finale është përmbyllja e procesit të negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësim i plotë deri në vitin 2030. Progresi i Shqipërisë është i dukshëm dhe inkurajues. 

 

 

MBI AUTORIN

Antonela Dhimolea është eksperte në bashkëpunimin rajonal dhe politikën e jashtme të Kinës. Ajo është gjithashtu Drejtore e Njësisë së Nismave Rajonale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

 

Opinionet, përfundimet dhe rekomandimet e shprehura në këtë botim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Fondacionit Friedrich Ebert apo të organizatave ku autorët punojnë.

 

 

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986

info.tirana(at)fes.de