Thursday, 18.03.2021 - Zoom

“Sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri – Opinione dhe qëndrime të publikut shqiptar”

Fondacioni “Friedrich Ebert” promovoi studimin me titull “Sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri – Opinione dhe qëndrime të publikut shqiptar”. Ky studim vjen si produkt i një pune cilësore të Prof.As.Dr. Selami Xhepa dhe Prof.Dr. Adrian Civici. Studimi bazohet në opinionet e publikut, të shprehura nëpërmjet 1268 intervistave të realizuara në shkallë vendi gjatë muajit tetor 2020, si dhe në vlerësimet empirike e teorike.

Qëllimi i këtij raporti studimor është matja e perceptimeve të publikut në lidhje me: varfërinë, pabarazinë dhe kohezionin social në vend; vlerat shoqërore gjatë tranzicionit tridhjetëvjeçar; raportin e politikës me aktorët shoqërorë: biznesin dhe publikun; rolin e shtetit në shoqëri në dritën e ndikimeve të proceseve globalizuese dhe proceset integruese e ndikimin e tyre në mirëqenien e shoqërisë.

Disa nga gjetjet kryesore të studimit “Sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri – Opinone dhe qëndrime të publikut shqiptar” janë:

- Sipas 66% të të anketuarve (2 në 3 banorë), shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë. Po ashtu, 39% e tyre mendojnë se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme.
- Opinioni publik (43.50%) beson se politikat e derisotme u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. Pra, sistemi është i disbalancuar në favor të kapitalit.
- Edhe pse më shumë se 40% e popullatës besojnë se individët duhet të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete, përsëri vetëm rreth 30% e tyre mbështetin një shoqëri të bazuar mbi individualizmin. Nevoja për ndërhyrje shtetërore në mbrojtjen e vendeve të punës që rrezikohen dhe në investimet publike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukurë mbështetet në mënyrë masive.
- Shoqëria beson se rreziqet për rënien e standardit të mirëqenies janë sot më të larta nga ato të brezit të kaluar dhe se rreziqet për brezin e ardhshëm do të jenë edhe më të larta. Pra, rreziku i perceptuar vjen në rritje.
- Shoqëria i mbështet fuqimisht proceset e integrimit të vendit dhe shumica (mbi 65%) vlerësojnë se efektet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë kanë qenë me avantazhe pozitive. Por qytetarët vlerësojnë se, pavarësisht nga thellimi i proceseve të integrimit, politika lokale duhet gjithashtu të ketë kontroll mbi legjislacionin e vendit.

Duke theksuar nevojën për reformim të sistemit ekonomik dhe një rol aktiv të institucioneve publike, në rekomandimet e tyre për politikëbërësit, autorët e punimit, ekonomistët Selami Xhepa dhe Adrian Civici, sugjerojnë që reformat të strukturohen përgjatë dy akseve: (1) Politika për kontrollin e proceseve që prodhojnë pabarazi (2) Politika për korrektimin e pabarazive që krijohen nga shpërndarja e pasurisë.

Platformës së diskutimit mbi këtë studim i’u bashkangjitën dhe Dr. Marc Adam, analist ekonomie pranë Forumit for a New Economy, Berlin si dhe Prof. Vancho Uzunov, profesor në fakultetin e drejtësisë „Lustinianus Primus“, Universiteti „Ss Cyril dhe Methoidius“ në Shkup.

Z. Adam, ndau me pjesëmarrësit gjetjet e studimit të ngjashëm të realizuar nga Forum for a New Economy mbi “Situatën ekonomike dhe Globalizimin” duke hequr paralele mes perceptimeve te qytetarëve mbi ekonominë në Shqipëri e Gjermani.Pavarësisht ndryshimeve në parakushtet ekonomike qytetarët kanë shumë të përbashkëta kur bëhet fjalë për pritjet e tyre në lidhje me të ardhmen, preferencat e tyre në lidhje me rolin e shtetit dhe mendimin e tyre mbi drejtësinë shpërndarëse.

Një prezantim interesant mbajti dhe Z. Uzunov, i cili është bashkëautor i studimit në Maqedoninë e Veriut “Ekonomia maqedone ne terma afatmesme dhe afatgjata“, pjesë e programit „the Big Picture“, ndërmarrë nga zyra e FES në Shkup. Gjetjet dhe rekomandimet kanë ngjashmëri të dukshme mes dy studimesh ku alokimi i drejtë i të ardhurave, reduktimi i varfërisë dhe reformimi institucional përbëjnë prioritet.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986
+355(0)4 22 73 306

info(at)fes-tirana.org
 

back to top