21.03.2024

Baza ajrore e Kuçovës: Investimi strategjik i NATO-s për sigurinë rajonale në Shqipëri Alba Cela, Mars 2024

Përvjetori i 15-të i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk mund të kishte një shenjë më të mirë sesa rihapja e bazës ajrore të Kuçovës. Ky është një sinjal i fortë i angazhimit të Aleancës në një rajon të ndjeshëm ndaj ndërhyrjes ruse.

 

Më 4 mars, kur avionët ushtarakë nga baza e NATO-s në Aviano, Itali, u shfaqën në qiellin e Shqipërisë, shumë banorë në Kuçovë, një qytet i vogël në jug të vendit, u kujtuan për jetët e mëparshme të këtij vendi si bazë ajrore. E menaxhuar dhe pajisur fillimisht nga sovjetikët, baza strehonte avionë MIG në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar dhe nën një nga regjimet më të ashpra komuniste në Europë. Madje edhe qyteti i Kuçovës në atë kohë u riemërua me ethe komuniste si “Qyteti Stalin”.

Sot, në vitin 2024, Shqipëria shënon dhe feston 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, përvjetor që përkon rastësisht me 75-vjetorin e themelimit të vetë Aleancës.

Sot baza ajrore e Kuçovës, një qendër për koordinim, trajnime dhe logjistikë, do t’i shërbejë ekskluzivisht avionëve të NATO-s. NATO ka investuar rreth 50 milionë euro (ndërsa qeveria shqiptare ka investuar edhe 5 milionë euro të tjera) për rikonstruksionin e plotë të bazës, e cila tashmë do të shërbejë si bazë logjistike, furnizimi dhe koordinimi për nevojat e Aleancës. E gjithë infrastruktura kryesore, duke përfshirë kullën, pistën dhe godinat përkatëse, është rindërtuar për të përmbushur funksionet e reja.

Ceremonia e inaugurimit, e ndjekur nga zyrtarë të lartë të NATO-s dhe shqiptarë, prezantoi avionë dhe dronë dhe u shënua nga fjalime që theksuan rëndësinë simbolike dhe reale të këtij zhvillimi. Ministri i Mbrojtjes i Italisë dhe një gjeneral nga Turqia, dy partnerë strategjikë të Shqipërisë dhe anëtarë kyç të NATO-s, ishin të pranishëm së bashku me përfaqësues të nivelit të lartë nga selia e Aleancës. Një tjetër prani e rëndësishme ishte ajo e drejtuesit të kompanisë turke të dronëve Bayraktar. Përdorimi i dronëve ushtarakë ka shënuar epokën e re të inovacionit teknologjik në siguri, një fushë në të cilën Shqipëria aspiron të përparojë.

Fokus në sigurinë rajonale

Me këtë bazë ajrore dhe me mundësinë e një baze detare në bregdetin jugor të Shqipërisë (ende në diskutim), Shqipëria shfaqet si qendra kryesore e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor për NATO-n. Në kontekstin e një lufte rraskapitëse në kontinent, ndërsa agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës nuk jep shenja përfundimi, pozicioni i Shqipërisë si një shtyllë e qëndrueshme dhe e përkushtuar e sigurisë në një rajon të njohur për ndjeshmëri ndaj ndikimit rus përbën një zhvillim të rëndësishëm. Nga 6 shtetet e rajonit, Shqipëria ishte e para që iu bashkua NATO-s, e ndjekur më vonë nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Një pikë veçanërisht e ndjeshme ndaj ndikimit rus është Serbia, e cila, përveçse nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë, që nga viti 2012 strehon në qytetin e Nishit një të ashtuquajtur “Qendër Humanitare Ruso-Serbe”, e cila sipas ekspertëve të sigurisë rajonale ka më shumë të bëjë me prani të fuqisë së ashpër ruse sesa me ndihmë humanitare.

Shqipëria ndodhet në skajin e kundërt të këtij spektri. Ajo ka forcuar qëndrimin e saj në politikën e jashtme dhe të sigurisë duke u përafruar 100% me partnerët euro-atlantikë, madje ka marrë një rol të dukshëm dhe aktiv gjatë mandatit si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ka marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe pret hapjen e kapitujve të parë në klasterin e temave themelore.

Nëse kjo bazë ajrore do të mbetet vetëm në rolin e saj logjistik dhe koordinues apo do të arrijë ambicien për të shërbyer edhe si qendër trajnimi për ushtarë ukrainas, siç përmendi zëvendëskryeministrja Balluku, mbetet për t’u parë. Por ajo tashmë përfaqëson investimin kryesor ushtarak dhe strategjik të NATO-s për të ardhmen e vendit dhe një mesazh për të gjithë rajonin.

 

MBI AUTOREN
Alba Cela është Drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) dhe redaktore në Tirana Observatory: Politika e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

 

Opinionet, përfundimet dhe rekomandimet e shprehura në këtë botim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Fondacionit Friedrich Ebert apo të organizatave ku autorët punojnë.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Tiranë

Rr. Kajo Karafili
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986

info.tirana(at)fes.de